
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën universitare “Gemelli” në Romë. Lajmin e mirë e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se mjekët kanë arritur të shpëtojnë organin e syrit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu bëri të ditur se operacioni u krye nga profesori Stanislao Rizzo, të cilin e falënderoi për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar.
“Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën ‘Gemelli’ në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit”, shkroi ministrja.
Ajo njoftoi gjithashtu se qeveria shqiptare ka miratuar këtë të mërkurë, 28 tetor, mbështetjen financiare për 28-vjeçarin.
“Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen”, u shpreh Spahiu.
Megjithatë, **shpëtimi i organit të syrit nuk nënkupton se të riut i është rikthyer shikimi**. Ministrja theksoi se procesi i rikuperimit do të vazhdojë dhe do të kërkojë kohë.
“Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim”, deklaroi ajo.
Erjon Vishkulli u plagos gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet. Ai mori fillimisht ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, përpara se të transferohej në Itali për trajtim të specializuar.
Dyshohet se dëmtimi është shkaktuar nga një plumb gome gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plagosjes dhe përgjegjësitë e mundshme.
Ndërsa hetimet vijojnë, ndërhyrja e suksesshme në Romë përbën një zhvillim pozitiv për shëndetin e të riut, megjithëse mbetet për t’u përcaktuar shkalla e rikuperimit të shikimit.






