Dy ngarkesa me produkte bujqësore shqiptare janë ndaluar në kufirin kroat, pasi analizat laboratorike zbuluan përqendrime të aflatoksinave dhe mbetjeve të pesticideve mbi kufijtë e lejuar nga Bashkimi Evropian. Ngarkesa me fiq të thatë është urdhëruar të asgjësohet, ndërsa mungojnë sqarimet publike nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për masat e ndërmarra në Shqipëri.

Alarmi i radhës për sigurinë e produkteve bujqësore shqiptare vjen nga Kroacia, ku autoritetet kanë bllokuar dy ngarkesa, një me fiq të thatë dhe një tjetër me speca të kuq.

Të dyja rastet janë regjistruar më 26 tetor 2026 në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), pas kontrolleve të kryera në kufirin kroat.

Fiqtë e thatë, aflatoksina deri në 515% mbi kufirin e lejuar

Rezultatet më shqetësuese janë konstatuar te ngarkesa me fiq të thatë me origjinë nga Shqipëria.

Analizat laboratorike kanë zbuluar një përqendrim prej 47,5 mikrogramësh për kilogram të aflatoksinave totale, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 10 mikrogramë për kilogram. Kjo përfaqëson një tejkalim me 375% të normës.

Edhe më i lartë ka rezultuar tejkalimi i aflatoksinës B1, e cila është matur në 36,9 mikrogramë për kilogram, kundrejt kufirit të lejuar prej 6 mikrogramësh. Pra, plot 515% mbi normë.

Aflatoksinat janë substanca toksike që prodhohen nga disa lloje myqesh. Aflatoksina B1 konsiderohet veçanërisht e rrezikshme për shëndetin, pasi ekspozimi ndaj saj lidhet me rritjen e rrezikut të kancerit të mëlçisë.

Për shkak të rezultateve të analizave, autoritetet kroate kanë urdhëruar asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë. Produkti është ndaluar në kufi dhe nuk është shpërndarë në tregun kroat.

Edhe specat shqiptarë me pesticide mbi normë

Probleme janë evidentuar edhe te një ngarkesë tjetër, këtë herë me speca të kuq nga Shqipëria.

Analizat kanë zbuluar mbetje të pesticidit chlorfenapyr, një substancë që përdoret për kontrollin e insekteve dhe dëmtuesve të bimëve.

Sipas njoftimit të RASFF-it, përqendrimi i konstatuar ka qenë 0,052 miligramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0,01 miligramë për kilogram.

Kjo do të thotë se niveli i pesticidit ishte 420% mbi kufirin e përcaktuar.

Ngarkesa është refuzuar në kufi dhe nuk është lejuar të shpërndahet në tregun kroat.

Ku janë kontrollet e AKU-së?

Dy rastet rikthejnë në vëmendje çështjen e sigurisë ushqimore dhe të kontrolleve që duhet të kryhen përpara se prodhimet shqiptare të eksportohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Deri në publikimin e raportimeve për këto raste, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk kishte dhënë një sqarim publik se cilat subjekte kishin eksportuar ngarkesat, nëse ishin kryer kontrolle në Shqipëri dhe nëse kishte nisur ndonjë verifikim për përgjegjësitë e mundshme.

Një tjetër pikëpyetje lidhet me gjurmueshmërinë e produkteve: a janë identifikuar prodhuesit dhe a është kontrolluar nëse produkte të tjera nga të njëjtat burime janë hedhur në tregun vendas?

Fakti që ngarkesat u zbuluan dhe u bllokuan në kufirin kroat nuk provon se produktet e shitura në Shqipëri kanë të njëjtin problem. Megjithatë, rastet shtrojnë nevojën për transparencë mbi kontrollet, gjurmueshmërinë dhe masat parandaluese të institucioneve shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu