Policia e Kosovës ka arrestuar Albert Sylajn, të dyshuarin kryesor për vrasjen e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra me sëpatë më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Arrestimi është kryer mbrëmjen e së martës, më 27 tetor, rreth orës 23:40, në Deçan, pas dy ditësh kërkimesh intensive nga autoritetet.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se lokalizimi i të dyshuarit u bë falë veprimeve operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët.

Sylaj dyshohet se vrau me sëpatë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn, në banesën e saj në Vitomiricë. Pas krimit, ai u largua nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim.

Vrasja tronditi opinionin publik në Kosovë, veçanërisht pasi u zbulua se viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë përpara se të humbiste jetën.

Në një letër drejtuar Prokurorisë së Pejës, Arlinda kishte paralajmëruar rrezikun me të cilin përballej dhe kishte kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.

“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.

Vetëm pak orë përpara vrasjes, policia kishte ndaluar ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, pas një denoncimi për kërcënime dhe shkelje të urdhrit gjyqësor të mbrojtjes.

Ndaj tij Prokuroria ka kërkuar paraburgim për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës. Ai nuk është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes.

Ndërkohë, djali 12-vjeçar i viktimës është marrë në mbrojtje nga shteti dhe është dërguar në një strehimore.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta edhe në nivelin më të lartë politik. Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme një raport urgjent për të identifikuar dështimet e mundshme të institucioneve që kishin trajtuar denoncimet e viktimës.

Me arrestimin e Albert Sylajt, hetimet për vrasjen hyjnë në një fazë të re, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë plotësisht rrethanat e krimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu