
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka deklaruar se e kishte pyetur zyrtarisht ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, për marrëdhënien e saj me Ergys Agasin, madje i kishte dërguar edhe një kërkesë me shkrim.
I ftuar në emisionin “Now”, Balliu tha se Hyseni i kishte kthyer përgjigje letrës, por se ai nuk mund të bëjë publik përmbajtjen e saj, pasi dokumenti nuk është deklasifikuar.
“E kam pyetur dhe në mënyrë zyrtare me letër. Kam çuar një letër për të cilën më ka kthyer përgjigje. E kam pyetur edhe në komision. Përgjigjen unë nuk mund ta them, sepse edhe ajo përgjigje është sekret për shkak të natyrës së punës që kishte zonja dhe institucioni”, deklaroi Balliu.
Deputeti i PD-së tha se kishte ngritur pyetje për raportet e Hysenit me Agasin edhe gjatë diskutimeve në Komisionin e Punëve të Brendshme. Sipas tij, pyetjet e tij në atë kohë ishin pritur me mosbesim dhe përqeshje nga përfaqësues të mazhorancës.
“Kishim kolegë që pyetjet që kisha unë në lidhje me marrëdhënien e Vlora Hysenit me Gys Agasin i përqeshnin. Se u dukeshin si çmendurira”, tha ai.
Balliu kërkoi që anëtarët socialistë të komisionit të flasin tashmë publikisht për diskutimet e zhvilluara atëherë, ndërsa e lidhi çështjen edhe me kërkesat politike të opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Parlamentit.
Ai deklaroi se opozita kërkon përgjegjësi politike, ndërsa për hetimin penal tha se i takon prokurorisë të bëjë punën e saj.






