
Sesioni i ri parlamentar ka nisur mes përplasjeve politike. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës për nisjen e punimeve të Kuvendit dhe axhendën e integrimit europian.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po nis sesionin e ri në kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas Bardhit, punimet parlamentare duhej të nisnin një ditë më vonë dhe Kuvendi po i jepte përparësi një akti të qeverisë ndaj përcaktimeve kushtetuese.
“Po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese”, deklaroi Bardhi, duke iu drejtuar Peleshit.
Kritika ndaj maxhorancës pati edhe nga deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila e vendosi theksin te procesi i integrimit europian.
Tabaku kërkoi që opozitës t’i vihet në dispozicion lista e ligjeve që lidhen me integrimin, duke argumentuar se procesi duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Po nisni një sesion ku nuk përcaktohen ligjet për integrimin. A ju duket sikur jeni një Kuvend që po punon për integrimin?”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e PD-së kërkoi gjithashtu që reformat e rëndësishme të mos miratohen në mënyrë të njëanshme. Ajo përmendi konkretisht reformën territoriale dhe atë zgjedhore, për të cilat kërkoi përfshirjen e opozitës dhe konsensus politik.
Debatet në Konferencën e Kryetarëve vijnë në nisje të një sesioni parlamentar ku integrimi europian, reforma zgjedhore dhe rishikimi i hartës territoriale pritet të jenë ndër çështjet kryesore të diskutimit politik.






