
Pamje të pazakonta kanë ardhur nga Quito, kryeqyteti i Ekuadorit, ku qindra njerëz u mblodhën me kafshët e tyre për t’i bekuar në festën e Shën Françeskut të Asizit.
Qen, mace, zogj, gjela e deri te kafshë të tjera shtëpiake u sollën përpara Kishës së San Franciskos, në qendrën historike të qytetit, ku priftërinjtë françeskanë zhvilluan ceremoninë tradicionale të bekimit.
Por mes pjesëmarrësve kishte edhe histori prekëse. Disa kishin sjellë urnat me hirin e kafshëve të tyre të ngordhura, për t’i përfshirë simbolikisht në ceremoninë kushtuar shenjtorit që lidhet me dashurinë dhe kujdesin për kafshët.
Luis Zamaguena, 18 vjeç, kishte ardhur me gjelin që kishte rritur që kur ishte fare i vogël.
“Pësoi një dëmtim në këmbë dhe rrezikonte të ngordhte, por u kujdesa për të, besova se do t’ia dilte dhe e ndihmova të rritej”, tregoi ai.
Një tjetër pjesëmarrëse, Ariana Kando, kishte ardhur për të kujtuar qenin e saj që kishte ngordhur nga kanceri.
“Edhe pse nuk është më me ne, do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, tha ajo.
Karla Vilana tregoi se merr pjesë çdo vit në këtë ceremoni dhe këtë herë kishte sjellë edhe hirin e qenushes së saj.
“Për mua është një mënyrë për t’i afruar kafshët me Zotin”, u shpreh ajo.
Prifti françeskan Edgar Abad tha se ceremonia organizohet në nder të Shën Françeskut të Asizit dhe kafshëve që janë bërë pjesë e jetës së përditshme të njerëzve.
Pamjet nga Quito vijnë në prag të Ditës Botërore të Kafshëve, që shënohet më 4 tetor dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre.






