Grupet e krimit të organizuar në Shqipëri po përdorin gjithnjë e më shumë teknologji të avancuar për t’iu shmangur vëzhgimit policor, për të kontrolluar territorin dhe për të monitoruar lëvizjet e rivalëve. Nga pajisjet që bllokojnë sinjalet e dronëve dhe GPS-it, te detektorët e përgjuesve dhe kamerat e paligjshme, organizatat kriminale po ndërtojnë sisteme mbrojtjeje që vështirësojnë punën e institucioneve ligjzbatuese.

Një investigim i BIRN sjell në vëmendje rastin e Ergys Agasit, të akuzuar nga SPAK në dosjen e manipulimit të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Më 26 gusht, gjatë një operacioni vëzhgimi, Agasi u ndoq nga policia pasi u largua nga një kompleks i fortifikuar në Shkozet të Durrësit. Ai udhëtoi me një automjet Audi A6 drejt periferisë së Elbasanit, ku mbërriti pranë tregut Agro-Ushqimor, në një pronë të lidhur me familjen e Suel Çelës, i kërkuar nga SPAK për krim të organizuar.

Por pas rreth një ore e gjysmë ndjekjeje, vëzhgimi u ndërpre dhe Agasi humbi nga kontrolli policor për afro pesë orë, përpara se të arrestohej në mbrëmje pranë Plepave, në Durrës.

Sipas burimeve të BIRN, ndërprerja e ndjekjes lidhej me probleme teknike në përdorimin e dronit. Ekzistojnë dyshime se në zonë mund të kenë qenë instaluar pajisje për bllokimin e valëve, të njohura si “jammers”. Probleme të ngjashme ishin konstatuar edhe pranë kompleksit në Shkozet.

Megjithatë, prania e këtyre pajisjeve nuk është konfirmuar përfundimisht.

Bllokuesit e valëve janë pajisje elektronike që ndërhyjnë në sinjalet e telefonisë celulare, rrjeteve Wi-Fi, GPS-it dhe komunikimit me dronët. Përdorimi i tyre pa autorizim shtetëror është i ndaluar në Shqipëri, por ekspertët paralajmërojnë se ato po bëhen pjesë e mjeteve të përdorura nga organizatat kriminale.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deklaron se grupet kriminale kanë krijuar sisteme të inteligjencës mbrojtëse, me qëllim shmangien e operacioneve policore dhe mbrojtjen nga kundërshtarët.

Sipas tij, avantazhi i organizatave kriminale është mundësia për të siguruar menjëherë pajisje të shtrenjta dhe të sofistikuara në tregun e zi.

Një tjetër fenomen shqetësues është përdorimi i kamerave të paligjshme në hapësirat publike.

Operacioni policor “Fijet”, i nisur në vitin 2023, çoi në heqjen e mbi 500 kamerave të instaluara në shtylla elektrike dhe akse rrugore. Për këtë aktivitet u proceduan 101 persona, por sipas investigimit, asnjëri nuk u ndëshkua.

Kamerat dyshohet se përdoreshin për të ndjekur lëvizjet e policisë, për të identifikuar automjetet e grupeve rivale dhe për të mbajtur nën kontroll zona të caktuara.

Përveç tyre, grupet kriminale përdorin pajisje për zbulimin e mikrofonëve të fshehtë, kamerave të përgjimit dhe lokalizuesve GPS, si dhe mjete komunikimi që mundësojnë monitorimin e frekuencave të policisë.

Eksperti i sigurisë Xhavit Shala thekson se organizatat kriminale kanë një avantazh të konsiderueshëm përballë institucioneve shtetërore, pasi mund të blejnë teknologji pa iu nënshtruar procedurave të gjata të prokurimit.

Ndërkohë, pajisje që kërkojnë autorizim të posaçëm reklamohen edhe në rrjetet sociale dhe tregtohen në tregun e pajisjeve elektronike. Pajisjet më të sofistikuara dyshohet se hyjnë në Shqipëri përmes kontrabandës ose deklarimeve të rreme doganore.

Ekspertët kërkojnë forcimin e kontrolleve në kufi, rishikimin e legjislacionit dhe modernizimin e pajisjeve të institucioneve të sigurisë.

Por përtej zhvillimit teknologjik të krimit, investigimi nxjerr në pah një problem po aq serioz: aftësinë e shtetit për të kontrolluar tregtimin e këtyre pajisjeve dhe për të ndëshkuar përdorimin e tyre të paligjshëm.

Fakti që mbi 500 kamera u hoqën nga hapësirat publike, ndërsa 101 procedime nuk sollën asnjë ndëshkim, ngre pikëpyetje për efektivitetin e reagimit institucional.

Ndërsa organizatat kriminale investojnë në teknologji për t’u mbrojtur nga policia, institucionet shqiptare përballen me sfidën për të mos mbetur pas në këtë garë gjithnjë e më të sofistikuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu