
Një 25-vjeçar në Tiranë ka tentuar t’i marrë 1 milion euro një ndërtuesi, duke u prezantuar në komunikimet online si kryeministri Edi Rama. I riu, i identifikuar si Albi Muça, është arrestuar në flagrancë gjatë një operacioni të organizuar nga Policia e Shtetit.
Sipas detajeve të publikuara nga Gazeta Panorama, 25-vjeçari kishte kontaktuar ndërtuesin përmes aplikacionit të komunikimit të enkriptuar Signal, duke përdorur identitetin e kryeministrit.
Ai i kishte kërkuar shumën prej 1 milion eurosh, duke i komunikuar se do të dërgonte një person tjetër për të tërhequr paratë.
Por ndërtuesi 54-vjeçar kishte dyshuar se po përballej me një mashtrim dhe kishte denoncuar rastin në polici.
Pas kallëzimit, specialistët e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nisën hetimet me metoda speciale dhe organizuan operacionin e koduar “Request”.
Ndërhyrja u krye në momentin kur Albi Muça po merrte paratë, duke bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë.
Në njoftimin zyrtar, policia nuk e kishte bërë publik identitetin e funksionarit që po imitohej, duke u mjaftuar me sqarimin se autori ishte prezantuar si një zyrtar publik. Identiteti i kryeministrit Edi Rama si personi që po imitohej është raportuar më pas nga Gazeta Panorama, duke iu referuar burimeve të saj.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse 25-vjeçari ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë, si dhe nëse e njëjta skemë është përdorur në raste të tjera.






