Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar këtë të shtunë përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste, duke i cilësuar si dy të larguarit e ditëve të fundit nga familja politike socialiste.

Deklarata u bë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, ku Rama kritikoi ashpër qëndrimet e mbajtura nga mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Duke iu referuar Plarent Ndrecës, i cili është edhe avokat i Veliajt, kryeministri kundërshtoi faktin që ai vijon të përdorë cilësimin e drejtuesit politik në komunikimet zyrtare me Bashkinë e Tiranës.

“Avokati i Veliajt i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, deklaroi Rama.

Konfirmimi vjen një javë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së në Gjirin e Lalzit, ku kryeministri kishte propozuar largimin e Spiropalit dhe Ndrecës. Në atë mbledhje nuk u zhvillua votim për përjashtimin e tyre, ndërsa propozimi shkaktoi debate mes drejtuesve socialistë.

Sipas raportimeve, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko kundërshtuan përjashtimin e Spiropalit nga forumet drejtuese të partisë.

Deklarata e sotme e Ramës shënon një përshkallëzim të përplasjes së brendshme në Partinë Socialiste, në një moment kur marrëdhëniet mes kryeministrit dhe Erion Veliajt janë tensionuar ndjeshëm.

Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar nëse deklarata e Ramës nënkupton përjashtimin formal nga anëtarësia në PS apo largimin nga funksionet drejtuese, pasi nuk është bërë publik një vendim përkatës i organeve të partisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu