
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar në Athinë takimin e parë të nismës “Prania Besnike” në diasporë.
Për më shumë se tre orë, Balla ka zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me dhjetëra bashkatdhetarë, duke dëgjuar shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thekson se roli i deputetit është të përcjellë ankesat e qytetarëve dhe të kërkojë llogari nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e tyre. Ai u kujtoi bashkatdhetarëve edhe afatin 15-ditor për ndjekjen e problematikave të paraqitura.
“Janë halle që kam besim që do të marrin zgjidhje, sepse deputeti këtë detyrë ka: të marrë ankesat e njerëzve dhe sipas ligjit t’u kërkojë institucioneve përgjegjëse llogari pse nuk e zgjidhin hallin. Mos harroni brenda afatit 15-ditor”, shkruan Balla.
Takimi në Athinë shënon nisjen e shtrirjes së nismës “Prania Besnike” te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, me synimin për të krijuar një urë komunikimi mes tyre dhe përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe për të adresuar shqetësimet e tyre pranë institucioneve shqiptare.






