Situata e zjarreve mbetet problematike në disa zona të vendit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë të jenë aktive, ndërsa një tjetër është në monitorim, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Për përballimin e flakëve janë angazhuar 839 forca operacionale dhe 72 automjete zjarrfikëse. Operacionet janë mbështetur nga 250 efektivë të Forcave të Armatosura, pesë helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 167 ushtarakë, tre helikopterë dhe dy “Air Tractor”.

Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha. Forcat në terren mbështeten nga dy helikopterë dhe, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata mbetet aktive edhe në Priskë të Madhe, ku zjarri është përhapur në drejtim të Gurrës, Farkës dhe Lundrës. Ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

Në zonën Drenie–Lofkend–Ngracije, mes Patosit dhe Mallakastrës, janë angazhuar zjarrfikës, forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA-së.

Një tjetër front i rëndësishëm është Kruja. Në lagjen Abaze zjarri vijon aktiv, ndërsa në operacion janë përfshirë 57 efektivë të FA-së dhe helikopterë. Në Krastë dhe Halil janë angazhuar edhe 58 ushtarakë me gjashtë automjete. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Përmet vijojnë dy vatra në malin e Nëmerçkës, mbi Biovizhdë, dhe në malin Dhëmbel, mbi Badilonjë. Terreni i vështirë malor po pengon operacionet, por flakët nuk rrezikojnë banesat.

Në Gurë-Lurë të Dibrës po zhvillohet një operacion i gjerë nga toka dhe ajri, ku krahas strukturave vendore, policisë, emergjencave dhe vullnetarëve janë angazhuar 50 efektivë të FA-së dhe dy avionët “Air Tractor”.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në malin e Moravës në Devoll, në Valcë–Tenë dhe Trojë të Mirditës, si dhe në Vau të Dejës. Zjarri në Vilëz të Kurbinit është kaluar në monitorim pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe një helikopteri.

AKMC dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës, me prioritet mbrojtjen e banorëve dhe banesave dhe izolimin e vatrave aktive.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu