
Partia Socialiste ka nisur që tani përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Nga rezidenca qeveritare në Drilon, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar drejtuesve socialistë kandidatë me integritet, pa probleme dhe të lidhur ngushtë me komunitetin.
Porosia është dhënë gjatë takimit dyditor në Pogradec, ku janë mbledhur drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe anëtarët e qeverisë.
Sipas burimeve të cituara nga A2 CNN, Rama ka kërkuar që për zgjedhjet e ardhshme vendore të propozohen “emra shumë të pastër” dhe pranë qytetarëve. Edhe pse lokalet e vitit 2027 janë prekur vetëm në një pjesë të diskutimeve, mesazhi i kryeministrit për përzgjedhjen e kandidatëve ka qenë i qartë.
Në qendër të mbledhjes kanë qenë edhe dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të cilat përcaktojnë mënyrën se si deputetët, ministrat dhe drejtuesit politikë duhet të komunikojnë me qytetarët dhe të forcojnë praninë e PS-së në terren.
Një tjetër temë e fortë ka qenë reforma territoriale dhe propozimi për shkrirjen e 15 bashkive. Mësohet se Rama ka kritikuar drejtuesit politikë të qarqeve, duke u kërkuar që t’ua shpjegojnë drejtpërdrejt komuniteteve ndryshimet e parashikuara dhe të mos e lënë debatin vetëm në studio televizive.
Takimi do të vijojë edhe të hënën, kur ministrat dhe drejtuesit e institucioneve pritet të raportojnë për realizimin e objektivave, si dhe për prioritetet e qeverisë gjatë muajve të ardhshëm.






