Elvis Kosova, i njohur me nofkën “Visi i garave”, është 40-vjeçari i arrestuar në Palasë, pasi partnerja e tij e denoncoi për dhunë dhe kanosje. Gjatë kontrolleve në vilën ku ndodhej dhe në banesën e tij në Tiranë, Policia sekuestroi një pistoletë, tre krehra dhe municion luftarak.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:40 në një vilë brenda një kompleksi në zonën e Palasës. Pas njoftimit për një konflikt familjar, në vendngjarje mbërriti Patrulla e Zonës, ndërsa për neutralizimin e situatës u angazhuan edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.

Sipas Policisë, gjatë ndërhyrjes brenda vilës u gjet një armë zjarri pistoletë. Kontrollet vijuan edhe në banesën e Elvis Kosovës në Tiranë, ku u sekuestruan dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 40-vjeçari kishte dhunuar dhe kanosur partneren e tij. Ndërhyrja e forcave të rendit parandaloi përshkallëzimin e konfliktit në një ngjarje potencialisht të rëndë kriminale.

Elvis Kosova njihet si biznesmen në sektorin e shitblerjes së automjeteve dhe pronar i një aktiviteti për makina me qira. Ai nuk është një emër i panjohur për Policinë.

Në korrik të vitit të kaluar, një sasi lënde plasëse shpërtheu në derën e garazhit në pronësi të tij. Ndërsa në vitin 2024, ai u ndalua në lidhje me përvetësimin përmes mashtrimit të një automjeti luksoz “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro, që ishte sjellë nga Gjermania nga një shtetas turk.

Emri i Kosovës është përmendur gjithashtu si pronari i dyshuar i automjetit tip “Benz”, ku u ekzekutuan Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani në Rinas. Në atë kohë, ai i mohoi publikisht pretendimet, duke deklaruar se automjeti ishte në pronësi të kompanisë.

Pas arrestimit në flagrancë, 40-vjeçari u shoqërua nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë. Veprimet procedurale vijojnë për dokumentimin e plotë të çështjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu