
Dy vëllezër kanë humbur jetën dhe një i tretë ka mbetur i plagosur pas një konflikti me armë zjarri në Bathore. Autori i dyshuar është një 40-vjeçar, punonjës i Policisë Ushtarake, i cili është arrestuar nga policia. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Krimi i rëndë ka ndodhur në rrugën “Petrela”, në Bathore, ku një konflikt mes një punonjësi të Policisë Ushtarake dhe tre vëllezërve ka përfunduar me dy viktima dhe një të plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, është konfliktuar për motive të dobëta me tre vëllezërit S. I., N. I. dhe Sh. I.
Gjatë konfliktit është përdorur arma e zjarrit, duke shkaktuar vdekjen e S. I., rreth 30 vjeç, në vendngjarje.
Dy vëllezërit e tjerë, N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë drejt spitalit.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 48-vjeçari N. I. nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe humbi jetën në spital.
Ndërkohë, vëllai i tretë, 44-vjeçari Sh. I., vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Autori i dyshuar, punonjës i Policisë Ushtarake
Menjëherë pas njoftimit për të shtënat, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5.
Pas veprimeve të para, policia arriti të identifikojë, kapë dhe arrestojë autorin e dyshuar, N. M., rreth 40 vjeç.
Sipas policisë, 40-vjeçari është punonjës i Policisë Ushtarake.
Gjatë ndërhyrjes u sekuestrua edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur për kryerjen e krimit.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe rrethanat e konfliktit që çoi në vrasjen e dy vëllezërve dhe plagosjen e të tretit.






