
Qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin financiar të 2750 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë angazhuar në vijën e parë gjatë protestave të dhunshme të ditëve të fundit. Secili prej tyre do të përfitojë nga 2500 euro, ndërsa kostoja totale e shpërblimit arrin në 6 milionë e 875 mijë euro.
Vendimi është miratuar me urgjencë, pas njoftimit të bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me efektivët në Ministrinë e Brendshme.
Kreu i qeverisë vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e punonjësve të policisë, të cilët prej shtatë ditësh janë përballur me situata të tensionuara gjatë protestave të studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve.
Sipas vendimit, shpërblimi prej 2500 eurosh do t’u jepet 2750 efektivëve të angazhuar drejtpërdrejt në menaxhimin e protestave.
Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, sulme me gurë dhe bomba molotov, dëmtime të institucioneve dhe përdorim të gazit lotsjellës e ujit me presion nga policia.
Vendimi i qeverisë vjen në një kohë kur dhjetëra efektivë janë lënduar gjatë përplasjeve, ndërsa situata e sigurisë në kryeqytet vijon të mbetet e tensionuar.
Shuma totale prej 6.875 milionë eurosh përbën fondin e nevojshëm për shpërblimin e të gjithë efektivëve përfitues.






