Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përmendur emra konkretë në debatin për praninë e lëvizjes Antifa në Shqipëri, duke identifikuar Arlind Qorin dhe persona të tjerë si pjesë të asaj që ai e quajti “Antifa Tirana”. Balla ngriti gjithashtu dyshime për ndërhyrje të huaja në zhvillimet e fundit në vend, duke përmendur Rusinë dhe Iranin.

Gjatë një interviste në emisionin “Real Story”, Balla deklaroi se Shqipëria është përballur me sulme dhe ndërhyrje të vazhdueshme që prej vitit 2022.

Sipas tij, informacionet që lidhen me ndërhyrjet e mundshme të Iranit dhe Rusisë duhet të verifikohen përmes strukturave të NATO-s përpara se të bëhen publike.

“Kur këto ndërhyrje vijnë nga Irani dhe Rusia, i gjithë informacioni para se të bëhet publik duhet të verifikohet në kuadër të strukturave të NATO-s”, deklaroi Balla.

Ai pretendoi se Irani ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në sulmet ndaj Shqipërisë gjatë periudhës që i parapriu asaj që u quajt “revolucioni i flamingove”.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë, këtu në sulmin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë që nga 2022, përgjatë gjithë kohës që parapriu revolucionin flamingo, ka qenë Irani drejtpërdrejt i përfshirë, me bazë antisemite”, u shpreh kreu i grupit socialist.

Balla: Shikoni kush është Antifa Tirana, nga Arlind Qori me shokë

Duke iu referuar lëvizjes Antifa dhe aktivitetit të saj të pretenduar në Shqipëri, Balla përmendi drejtpërdrejt Arlind Qorin.

“Ti shiko se kush është Antifa Tirana, nga Arlind Qori me shokë”, deklaroi ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist nuk paraqiti gjatë deklaratës së cituar prova konkrete që të dokumentonin një lidhje organizative mes Qorit, lëvizjes Antifa dhe ndërhyrjeve të huaja.

Akuza edhe ndaj partisë së Agron Shehajt

Balla ngriti pikëpyetje edhe për aktivitetin në rrjetet sociale të një përfaqësueseje të partisë së Agron Shehajt.

Ai pretendoi se numri dy i kësaj force politike ndjek në mënyrë të vazhdueshme deklaratat dhe faqen e Ambasadës Ruse në Tiranë.

“Si ka mundësi që ndjekësja më e paparë e deklaratave të ambasadës ruse në Tiranë dhe faqes së ambasadës është sekretarja, numri dy, i partisë së Agron Shehajt?”, deklaroi Balla.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protestat në Shqipëri janë shoqëruar me përplasje të dhunshme dhe akuza politike për përfshirjen e grupeve të organizuara.

Megjithatë, pretendimet për lidhje të individëve apo forcave politike me Antifa, Rusinë ose Iranin mbeten akuza të ngritura nga Balla dhe nuk provojnë në vetvete ekzistencën e një koordinimi mes tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu