Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, duke premtuar se do të kërkojë sqarime nga ministri i Drejtësisë. Në një intervistë për emisionin “Koha Jonë-Debat”, me Nikoll Lesin, Balla foli edhe për kandidatin socialist për Bashkinë e Tiranës dhe akuzoi katër drejtues të opozitës se kanë përvetësuar protestën studentore.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili e cilësoi transferimin e tij në Fier si një “rrëmbim policor dhe transferim politik”, Balla deklaroi se do të kërkojë informacion për arsyet e këtij vendimi.

“Dhe unë të jap fjalën, sapo të dal nga këtu, do ta pyes ministrin e Drejtësisë si qëndron çështja, sepse kam marrë të njëjtin shqetësim të ngjashëm edhe nga ish-presidenti Ilir Meta, për trajtim jo adekuat”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit socialist tha se shqetësimet e ngritura nga ish-presidenti Meta ia kishte përcjellë ministrit të Drejtësisë dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Ai theksoi se të njëjtin qëndrim do të mbajë edhe për Veliajn, pavarësisht marrëdhënies personale me të.

“Si për çdo qytetar tjetër, dhe jo vetëm për Erion Veliajn që e kam shok. Dhe padyshim që kam ruajtur një distancë në deklarimet e mia në lidhje me çështjen, siç e kam bërë me të gjitha rastet”, deklaroi Balla.

Kandidati i PS-së për Tiranën shpallet më 20–25 mars, përjashtohen primaret

Një tjetër çështje e diskutuar në intervistë ishte përzgjedhja e kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Balla zbuloi se emri i kandidatit do të bëhet publik mes datave 20 dhe 25 mars 2027, ndërsa përjashtoi mundësinë që Partia Socialiste të zhvillojë zgjedhje paraprake me anëtarësinë.

“Nuk do të ketë primare për asnjë bashki”, deklaroi ai.

I pyetur për propozimin e deputetit Erion Braçe për organizimin e primareve, Balla kujtoi se PS e kishte provuar një model të tillë në vitin 2007, por sipas tij, përvoja nuk kishte rezultuar pozitive.

Ai tha se socialistët po zhvillojnë sondazhe dhe verifikime për profilin e kandidatit të ardhshëm në Tiranë, pa përmendur emrin që mund të marrë mbështetjen përfundimtare të partisë.

Gjatë bisedës, Balla i cilësoi Erion Braçen dhe Ogertën si kandidatë shumë të mirë, por nuk konfirmoi nëse ndonjëri prej tyre do të jetë zgjedhja e PS-së.

Balla akuzon Berishën, Shehajn, Lapajn dhe Qorin për protestën studentore

Duke komentuar protestat studentore që kanë përfshirë kryeqytetin, Balla deklaroi se lëvizja është përvetësuar gradualisht nga drejtues të partive opozitare.

“Aktualisht protestën e vodhën pak nga pak, Saliu i pari, Agron Shehaj i dyti, Lapaj i treti dhe Qori i katërt. Dhe këta të katërt kanë përgjegjësi edhe për ato aktet e dhunës”, u shpreh ai.

Këto ishin akuza politike të Ballës, i cili nuk paraqiti gjatë deklarimit prova konkrete për përgjegjësinë e katër politikanëve në aktet e dhunës.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së mohoi gjithashtu pretendimet se mazhoranca ka ndërhyrë për të përçarë protestuesit.

Balla solli si shembull zhvillimet politike në Serbi, ku lëvizja studentore u kthye në forcë elektorale, duke theksuar se në një sistem demokratik pushteti përcaktohet përmes zgjedhjeve dhe jo përmes protestave.

“Sheshet nuk përcaktojnë kush qeveris dhe kush është në opozitë. Këtë e përcakton vota”, deklaroi ai.

Balla dënoi sulmet ndaj policisë gjatë protestave, duke theksuar se përdorimi i molotovëve dhe goditja e efektivëve janë të papranueshme.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh politike, ndërsa Partia Socialiste përgatitet për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe protestat studentore vijojnë në kryeqytet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu