Taulant Balla ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi të një bisede në grup, ku një prej pjesëmarrësve bën thirrje për djegien e shtëpisë së tij. Balla e lidh këtë mesazh me Sali Berishën, duke e akuzuar atë për nxitjen e sulmeve ndaj kundërshtarëve politikë.

“Kur ju them unë është Saliu!”, shkruan Balla në reagimin e tij në Facebook.

Më tej, ai akuzon drejtpërdrejt kreun e Partisë Demokratike për nxitjen e dhunës.

“Doli Saliu me sulmet bajate. Ja dhe porosia tek grupi zjarrit, digjni shtëpinë e kundërshtarëve të Saliut”, shprehet Balla.

Në fotografinë e publikuar prej tij shfaqen disa mesazhe të shkëmbyera në një grup komunikimi.

Njëri prej përdoruesve, i identifikuar në bisedë me emrin “Bobi”, shkruan:

“Ore shpin e taulantit sot ta djegim komplet”.

Në të njëjtën bisedë shfaqen edhe komente kundër qeverisë dhe shpërblimit prej 2.500 eurosh të paralajmëruar për efektivët e policisë të angazhuar gjatë protestave.

Publikimi i Ballës vjen në një kohë kur protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me incidente të dhunshme dhe sulme ndaj institucioneve.

Nga fotografia e publikuar nuk mund të verifikohet identiteti i autorëve të mesazheve apo ndonjë lidhje e tyre me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Këto mbeten pretendime të ngritura nga Balla në reagimin e tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu