
36 persona kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë ditës së djeshme si pasojë e protestave në Shqipëri. Mes të lënduarve janë 23 efektivë policie, 8 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e përditësuar të të lënduarve, ndërsa bën të ditur se 14 persona vijojnë të marrin trajtim spitalor që prej nisjes së protestave më 13 tetor.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara këtë të hënë, 19 tetor, në orën 11:30, gjatë ditës së diel në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 31 persona.
Prej tyre, 21 janë efektivë policie, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias, për të cilën është raportuar edhe shtrim në spital.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 persona të tjerë të lënduar, mes tyre 2 efektivë policie dhe 3 protestues.
Në total, bilanci i të lënduarve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë ditës së djeshme në dy spitalet arrin në 36 persona.
## 14 persona vijojnë trajtimin spitalor
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se nga 13 tetori, kur nisën protestat, numri i personave të shtruar që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14.
Mes tyre janë 5 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.
Sipas ministrisë, gjendja shëndetësore e të gjithë këtyre pacientëve është e mirë.
Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës ndodhen edhe dy protestues, të cilët po u nënshtrohen ekzaminimeve dhe konsultave të mëtejshme mjekësore.
Bilanci i ri vjen pas një tjetër dite protestash të shoqëruara me përplasje dhe incidente në kryeqytet.




