
Situata e zjarreve vijon të mbajë të angazhuara qindra forca në të gjithë vendin. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 39 vatra zjarri, prej të cilave 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht.
Në operacione janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, së bashku me 340 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA. Helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer 6 operacione, ndërsa është përdorur edhe një avion Air Tractor.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe një Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive ndodhen në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Situata më problematike gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar në Fier dhe Himarë. Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas ndërhyrjes nga toka dhe ajri, është shmangur rreziku për banesat, ndërsa operacioni vijon.
Në lagjen “1 Maji” në Himarë u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 36 persona u evakuuan dhe 6 banesa u dogjën, tre prej tyre të banuara. Intensiteti i zjarrit tashmë është ulur dhe rreziku për banesat është shmangur.
Në Dajt puna vijon pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur kërcënimi për banesat. Vatra aktive ka edhe në Dibër dhe Lezhë, por sipas autoriteteve nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, ndërsa forcat operacionale mbeten në gatishmëri.




