
Situata e zjarreve mbetet problematike në disa zona të vendit. Deri në orën 20:00 të kësaj të shtune, 15 gusht, janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 vijojnë aktive dhe dy janë nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet kundër flakëve janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion edhe 120 efektivë, dy mjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Një nga vatrat kryesore mbetet Mali i Dajtit, ku 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për shuarjen e flakëve. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Operacion i gjerë vijon edhe në Gurë-Lurë të Dibrës. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 policë, 11 punonjës të ADZM-së, 15 efektivë zjarrfikës dhe 50 efektivë të FA-së. Nga ajri operojnë dy avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka penguar përhapjen e flakëve drejt banesave.
Në Qafë Helmes, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, por vijon aktiv në drejtim të Selishtës. Vatra aktive raportohen gjithashtu në Abazaj të Krujës, Lufaj të Mirditës, Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë, Libohovë dhe Krahës në qarkun e Gjirokastrës, si dhe në Dardhë të Librazhdit.
Në Gjormë të Selenicës zjarri është vendosur nën kontroll, ndërsa në Libohovë po shkon drejt izolimit.
Ministria e Mbrojtjes thekson se, pavarësisht numrit të lartë të vatrave dhe terrenit të vështirë në disa zona, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore.
AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.






