
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me deputetët e SDA Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë propozuar një rezolutë për dënimin e krimeve të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Sipas Kamberit, rezoluta synon ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën dhe pranimin e fakteve të konfirmuara nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.
Dokumenti dënon krimet sistematike, vrasjet, deportimet, spastrimin etnik dhe dhunën ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë nga strukturat ushtarake, policore dhe paramilitare të regjimit serb të asaj kohe.
Në tekstin e rezolutës përmenden edhe masakrat më të rënda të luftës, përfshirë ato në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë dhe Podujevë.
Po ashtu, rezoluta rikujton ekzistencën e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Perućac dhe Kiževak, ku janë gjetur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
Kamberi e cilësoi dokumentin si një hap të domosdoshëm drejt drejtësisë dhe pajtimit rajonal.






