
Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një lokal të njohur në Elbasan, ku Ermir Bitoci dyshohet se i shpëtoi një tentative për vrasje.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm po ndihmojnë hetuesit të rindërtojnë minutë pas minute dinamikën e ngjarjes, e cila mund të kishte përfunduar tragjikisht.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 14:50, Bitoci ndodhej brenda lokalit. Në pamjet filmike ai shfaqet i veshur me një bluzë të zezë dhe, pasi qëndron për disa momente në ambientet e brendshme, ngrihet nga tavolina dhe del jashtë.
Lëvizjet e tij dyshohet se janë ndjekur nga një person tjetër, i cili ndodhej në të njëjtin lokal duke konsumuar kafe në shoqërinë e një gruaje. Menjëherë pasi Bitoci largohet, edhe personi tjetër del nga lokali dhe e ndjek.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, jashtë lokalit personi i veshur me bluzë të bardhë i afrohet Bitocit nga pas dhe i drejton një pistoletë në pjesën e pasme të kokës.
Bitoci reagon menjëherë dhe arrin të largohet me shpejtësi. Hetuesit po verifikojnë një element që mund të jetë vendimtar për zbardhjen e ngjarjes: dyshohet se pistoleta është bllokuar në momentin kur autori ka tentuar të qëllojë.
Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga hetimet dhe ekspertiza, mund të përforcojë pistën se bëhet fjalë për një tentativë të drejtpërdrejtë vrasjeje.
Grupi hetimor po analizon kamerat e sigurisë dhe dëshmitë për të përcaktuar nëse Bitoci është ndjekur qëllimisht, si dhe për të identifikuar motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Emri i Ermir Bitocit është përmendur më herët në kronikat e Elbasanit, veçanërisht në raportime që lidhen me periudhën e trazuar të viteve 1997–2000. Më pas, sipas informacioneve të publikuara ndër vite, ai ka jetuar kryesisht jashtë Shqipërisë.






