Humbja e një qeni apo maceje mund të shkaktojë një dhimbje të thellë dhe të zgjasë shumë më tepër nga sa mendohet. Një rrëfim i BBC-së sjell në vëmendje pikëllimin pas vdekjes së kafshëve të shoqërimit dhe faktin se kjo dhimbje shpesh nuk kuptohet nga të tjerët.

Gazetarja Helena Wilkinson tregon për humbjen e qenushes së saj Lara, një Westie 11-vjeçare, e cila u eutanazua pasi gjendja e saj shëndetësore dhe cilësia e jetës u përkeqësuan. Për javë të tëra ajo qëndroi pranë qenit, ndërsa vendimi për eutanazinë i shkaktoi më pas edhe ndjenja të forta faji.

Ekspertët e cituar nga BBC thonë se pikërisht faji është një nga emocionet më të zakonshme pas humbjes së një kafshe. Pronarët pyesin veten nëse mund të kishin bërë më shumë, nëse vendosën shumë herët për eutanazinë apo nëse pritën tepër gjatë.

Sipas Annalisa de Carteret, e cila punon në mbështetjen e personave që humbasin kafshët e tyre, për disa njerëz kjo përvojë mund të jetë veçanërisht e rëndë edhe për shkak se shoqëria nuk e trajton gjithmonë si një humbje të madhe.

Vetëm shërbimi falas i organizatës britanike Blue Cross ka ndihmuar më shumë se 30 mijë persona gjatë vitit të kaluar përmes telefonit, emailit dhe komunikimit online.

Çështja po prek edhe vendin e punës. Pas humbjes së qenit të tij, prezantuesi i BBC Radio 1, Greg James, mori një ditë pushim. Megjithatë, aktualisht asnjë vend nuk i detyron punëdhënësit të japin leje të paguar për vdekjen e një kafshe shtëpiake.

Ekspertët theksojnë se lidhja e krijuar me një kafshë gjatë shumë viteve është e fortë dhe pikëllimi pas humbjes së saj nuk duhet minimizuar apo konsideruar një reagim i tepruar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu