Aristofani bënte të qeshte Athinën, por komeditë e tij ishin shumë më tepër sesa argëtim. Pas humorit qëndronte një kritik i pamëshirshëm i pushtetit, luftës dhe vetë demokracisë athinase. Dhe pikërisht këtu qëndron, sipas historianit dhe filologut italian Luciano Canfora, mësimi i madh i një autori që vazhdon të tingëllojë çuditërisht aktual edhe pas 2.400 vjetësh.

Vetëm 11 komedi të Aristofanit kanë mbërritur të plota deri tek ne, megjithëse gjatë jetës shkroi të paktën 50. Por për të kuptuar fuqinë e tij duhet kuptuar fillimisht se çfarë përfaqësonte teatri në Athinën e lashtë.

Në mbledhjet më të mëdha të Asamblesë popullore merrnin pjesë deri në 5 mijë njerëz. Në teatër shkonin rreth 20 mijë.

Në këtë kuptim, argumenton Canfora, pjesëmarrja e vërtetë popullore në Athinë zhvillohej më shumë në teatër sesa në Asamble. Madje në teatër merrnin pjesë edhe gratë, të përjashtuara nga jeta politike e një Athine thellësisht mashkullore.

Aristofani lindi rreth vitit 450 para Krishtit dhe jetoi të paktën deri më 388 para Krishtit. Ishte me origjinë modeste, por mori një formim të jashtëzakonshëm dhe shumë shpejt e shndërroi komedinë në armë politike.

Që në veprën e hershme “Babilonas” ai sulmoi ashpër imperializmin athinas. Vepra i solli probleme, por edhe çmimin e parë.

Friedrich Nietzsche, në leksionet e tij të filologjisë në Bazel, e përkufizonte Aristofanin si “zëdhënësin e partisë oligarkike”. Për Canfora-n, fakti që një njeri me origjinë modeste mund të fliste kaq brutalisht dhe në mënyrë kaq jokonformiste për politikën përpara një publiku gjigant ngre edhe pyetjen se çfarë mbështetjeje politike mund të kishte pas vetes.

Në vitin 425 para Krishtit, me “Akarnianët”, Aristofani vendos në qendër një pronar të vogël tokash, të rrënuar nga lufta dhe të zemëruar me demokracinë që e kishte nisur atë. Zgjidhja e tij është absurde dhe gjeniale njëkohësisht: të bëjë vetë paqe me armikun.

Një vit më vonë, te “Kalorësit”, objektivi bëhet Kleoni, një prej njerëzve më të fuqishëm të Athinës pas Perikliut. Ishte një goditje politike e drejtpërdrejtë. Dhe komedia fitoi përsëri çmimin e parë.

Por ndoshta shembulli më i jashtëzakonshëm mbetet “Lisistrata”.

Në vitin 411 para Krishtit, ndërsa lufta mes Athinës dhe Spartës vazhdonte, Aristofani bëri diçka revolucionare për shoqërinë e tij: ua dha pushtetin grave.

Ato pushtojnë Akropolin dhe marrin kontrollin e thesarit të qytetit, në mënyrë që paratë të mos përdoren më për financimin e luftës.

Në fund, pushteti politik dorëzohet përballë grave të bashkuara.

Aristofani krijon kështu në skenë atë që Athina nuk e kishte në jetën reale: gruan si subjekt politik. Gratë bëjnë politikë dhe, madje, ua mësojnë atë burrave. Ndërsa lufta paraqitet si marrëzi përballë mundësisë së bashkëjetesës.

Edhe në fund të jetës Aristofani vazhdoi të godiste problemet e shoqërisë së tij.

Te “Gratë në Asamble”, gratë marrin përsëri pushtetin dhe vendosin një sistem të përbashkët të pasurisë. Aristofani tallet edhe me modelin ideal të Platonit: përmbys logjikën mashkullore dhe vendos gratë në pushtet, ndërsa burrat bëhen “të përbashkët”.

Në “Pluti” pyetja është edhe më e drejtpërdrejtë: pse pasuria është ndarë kaq keq?

Perëndia e pasurisë është i verbër. Dhe pikërisht sepse nuk sheh, pasuria përfundon në duart e gabuara. Komedia ndërtohet mbi përpjekjen për të korrigjuar këtë pabarazi.

Këtu qëndron edhe paradoksi i madh i Aristofanit.

Ai ishte kundërshtar i demokracisë politike që sundonte Athinën e kohës së tij, por skena e tij u jepte zë atyre që sistemi politik i linte jashtë. Sulmonte pushtetin, denonconte luftën, vinte në diskutim shpërndarjen e pasurisë dhe u jepte grave një pushtet që shoqëria reale ua mohonte.

Dhe e bënte të gjithë këtë duke e bërë popullin të qeshte.

Ndoshta pikërisht për këtë, pas rreth 2.400 vjetësh, Aristofani vazhdon të ketë diçka për t’u thënë edhe demokracive të sotme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu