
Ka pak skena në letërsinë botërore që prekin aq fort sa takimi mes Odisesë dhe qenit të tij, Argosit. Pas një mungese 20-vjeçare, heroi i Itakës kthehet në shtëpi i maskuar si lypës. Askush nuk e njeh. As gruaja, as shërbëtorët, as banorët e pallatit. Vetëm Argosi.
Homeri e përshkruan qenin dikur krenar si një krijesë të braktisur, “i braktisur prehej në plehun e shumë të qeve dhe mushkave”, i mbuluar me këpusha, pa forcë për t’u ngritur.
Megjithatë, nuhatja nuk e tradhton. Skena e famshme nuk ka si të mungojë edhe në ekranizimin e ri The Odyssey të Nolan.
“Dhe atëherë kur nuhati Odisenë nga afër, tundi pakëz bishtin, uli të dy veshët, por nuk kishte më fuqi t’i vraponte pranë.”

Odisesë i duhet të ruajë fshehtësinë e identitetit. Ai vetëm e sheh nga larg dhe, për të mos u zbuluar, “ktheu kokën mënjanë e fshehu një lot pa ndjerë Eumeu”.
Në bisedën me Odisenë, derrari Eume thotë se dikur Argosi ishte qeni më i mirë i gjuetisë:
“Po të kishte të tillë trupin dhe hiret e tjera ashtu sikur e la Odisea kur iku për në Trojë, do të mahniteshe me guximin dhe shpejtësinë. Se kurrë s’i iku në skajet e pyllit të thellë egërsira që vinte përpara, i pari në ndjekjen e gjurmës.”
Por me largimin e të zotit, edhe besnikëria mbeti pa shpërblim.
“Por tani gjendet në mjerim, larg shtëpisë… dhe shërbëtorët, kur zotërit nuk urdhërojnë, sipas detyrës s’duan të punojnë.”

Kulmi i emocionit vjen vetëm pak vargje më vonë. Pasi kishte pritur plot 20 vjet dhe kishte parë edhe një herë të zotin e tij, misioni i Argosit mbaron.
“Argon atëherë fati i hidhur i vdekjes e gjeti kur Odisean arriti ta shohë në vitin e njëzet.”
Skena e Argosit është bërë simbol universal i besnikërisë. Homeri nuk i jep qenit asnjë fjalë. Mjaftojnë një tundje bishti, dy veshë të ulur dhe një lot i fshehur i Odisesë për të krijuar një nga momentet më të pavdekshme të letërsisë botërore.






