
Temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se forcimi i fenomenit El Niño mund ta rrisë më tej nxehtësinë gjatë muajve të ardhshëm.
Sipas të dhënave të Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus, temperatura mesatare e sipërfaqes së deteve jashtë rajoneve polare arriti të shtunën në 21,1 gradë Celsius.
Kjo vlerë tejkalon rekordin e mëparshëm prej 21,09 gradësh Celsius, të regjistruar në tri ditë të ndryshme gjatë marsit të vitit 2024. Temperatura aktuale është gjithashtu shumë më e lartë se mesatarja për këtë periudhë të vitit.
“Ky rekord është një tjetër sinjal i qartë se oqeanet po përballen me një presion në rritje”, deklaroi Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë e Copernicus.
Sipas saj, El Niño po i shton më shumë nxehtësi sistemit klimatik, por fenomeni natyror po vepron mbi disa dekada ngrohjeje të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.
Të dhënat bazohen në matjen e temperaturave deri në 10 metra nën sipërfaqen e ujit. Informacionet mblidhen nga bovat, anijet dhe satelitët, përpara se të kombinohen për përllogaritjen e një mesatareje globale.
Edhe pse diferenca me rekordin e mëparshëm është e vogël dhe përllogaritjet globale kanë një shkallë pasigurie, shkencëtarët e konsiderojnë veçanërisht shqetësues momentin kur është shënuar temperatura.
Temperaturat mesatare të oqeaneve zakonisht arrijnë kulmin vjetor gjatë marsit ose prillit, në përfundim të verës në hemisferën jugore. Kjo hemisferë përmban pjesën më të madhe të ujërave oqeanike të planetit dhe ndikon më shumë në mesataren globale.
Fakti që rekordi është regjistruar në gusht, kur El Niño nuk ka arritur ende pikën e tij më të fortë, shton shqetësimet se temperaturat mund të rriten edhe më shumë.
El Niño sjell ujëra jashtëzakonisht të ngrohta në sipërfaqen e pjesës lindore dhe qendrore të Oqeanit Paqësor tropikal. Ngrohja e një zone kaq të madhe shkakton zakonisht rritje të temperaturës mesatare globale.
Fenomeni pritet të vazhdojë forcimin deri rreth periudhës së Krishtlindjeve. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se ai mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar në shekuj, duke i mbajtur temperaturat e oqeaneve në nivele tepër të larta edhe gjatë vitit 2027.
Ngrohja nuk është kufizuar vetëm në zonën e Paqësorit ku zhvillohet El Niño. Sipërfaqe të mëdha detare rreth Britanisë së Madhe dhe Evropës kanë përjetuar valë të nxehti detare gjatë një pjese të madhe të vitit.
Sipas shkencëtarëve, përhapja e temperaturave të larta në zona të ndryshme të planetit tregon ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Oqeanet përthithin më shumë se 90 për qind të nxehtësisë së tepërt që mbetet e bllokuar në atmosferë nga emetimet e gazeve serrë, kryesisht si pasojë e djegies së lëndëve fosile.
Rritja e temperaturës së ujit mund të furnizojë stuhitë me më shumë lagështi dhe energji, duke i bërë fenomenet ekstreme të motit më të fuqishme. Në zonat bregdetare, detet më të ngrohta mund të zvogëlojnë efektin freskues të erërave detare dhe të intensifikojnë valët e të nxehtit në tokë.
Uji i ngrohtë zgjerohet dhe zë më shumë hapësirë, duke ndikuar në ngritjen e nivelit të deteve dhe në shtimin e rrezikut të përmbytjeve bregdetare.
Temperaturat ekstreme përbëjnë një kërcënim edhe për ekosistemet detare, veçanërisht për shkëmbinjtë koralorë. Valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit në det po ushtrojnë presion mbi habitatet dhe komunitetet që varen prej tyre për ushqim dhe të ardhura.






