
Të qenit beqar nuk është domosdoshmërisht një periudhë pritjeje derisa të gjendet partneri i duhur. Një studim i ri sugjeron se kjo fazë e jetës mund të krijojë mundësi të rëndësishme për zhvillim personal, eksperienca të reja dhe kënaqësi më të madhe nga jeta.
Hulumtuesit analizuan atë që e quajnë “potenciali i zgjerimit personal gjatë beqarisë”, pra bindjen se jeta pa një partner romantik mund t’u japë njerëzve më shumë mundësi për të zgjeruar interesat, aftësitë dhe eksperiencat e tyre.
Rezultatet treguan se personat që e shihnin beqarinë si një mundësi për t’u zhvilluar angazhoheshin më shpesh në aktivitete të reja, nga udhëtimet dhe sporti te mësimi i aftësive të reja, shëtitjet dhe provimi i restoranteve të ndryshme.
Kjo mënyrë jetese lidhej gjithashtu me kënaqësi më të madhe nga jeta dhe statusi i tyre sentimental, më pak frikë nga të qenit vetëm dhe ndjenja më të forta autonomie, kompetence dhe lidhjeje me njerëzit e tjerë.
Një nga rezultatet më interesante ishte se beqarët nuk i përjetonin domosdoshmërisht vetëm këto eksperienca. Deri në 82% mbështeteshin te miqtë ose familjarët për t’i shoqëruar në aktivitete që kontribuonin në zhvillimin dhe pasurimin e jetës së tyre.
Megjithatë, rezultatet nuk nënkuptojnë se beqaria është më e mirë se një marrëdhënie romantike. Përfitimet duket se lidhen në një masë të madhe me mënyrën se si individët e perceptojnë statusin e tyre dhe me gatishmërinë për të shfrytëzuar mundësitë që ai ofron.
Mesazhi kryesor i studimit është se një partner romantik nuk është kusht i domosdoshëm për të provuar gjëra të reja, për t’u zhvilluar personalisht dhe për të ndërtuar një jetë të kënaqshme.
Burimi: The Washington Post






