Policia ka nisur hetimet për vdekjen e Marjana Karolina Bunajt, 37-vjeçares shtatzënë që humbi jetën gjatë transportimit nga Pogradeci drejt Tiranës.

Në kuadër të hetimeve është administruar kartela mjekësore e pacientes, ndërsa janë marrë në pyetje personeli mjekësor dhe familjarët e saj. Autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat që lidhen me trajtimin dhe momentin e nisjes drejt kryeqytetit.

Motra e 37-vjeçares, e cila e shoqëroi gjatë qëndrimit në maternitet, pretendon se transportimi drejt Tiranës është bërë me vonesë. Ajo kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe drejtësi për motrën.

Sipas të dhënave paraprake, Bunaj dyshohet se ka pësuar hemorragji të brendshme, e cila mund të mos ketë pasur lidhje me shtatzëninë. Shkaku përfundimtar i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia mjeko-ligjore.

Rezultatet pritet të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë nëse ka pasur përgjegjësi në mënyrën apo kohën e trajtimit dhe transportimit të pacientes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu