Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke akuzuar SPAK-un se po zbaton standarde të dyfishta në çështjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, raporti i Komisionit Europian shpreh shqetësim për vendimin e Kuvendit që rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeteje, duke e cilësuar këtë një problem që lidhet me parimet e kontrollit dhe balancimit të pushteteve, si edhe me barazinë para ligjit.

Deputeti demokrat tha se, ndonëse Brukseli ka ngritur shqetësime për këtë çështje, prokurorët e SPAK-ut nuk po reagojnë dhe, sipas tij, po kontribuojnë në krijimin e pandëshkueshmërisë.

Bardhi pretendoi se SPAK ka bërë publik faktin se pozita penale e Ballukut është rënduar me dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, por nuk ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, ndryshe nga standardi që, sipas tij, vetë Prokuroria e Posaçme ka ndjekur në raste të tjera.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, SPAK duhet t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, duke zbatuar ligjin dhe të njëjtin standard që ka aplikuar në hetime të mëparshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu