Një nga momentet më emocionuese të finales së Kupës së Botës 2026 nuk ishte goli i Ferran Torres apo ngritja e trofeut nga Spanja, por përqafimi mes Lamine Yamal dhe Lionel Messit pas përfundimit të ndeshjes.

Menjëherë pas fitores 1-0 të Spanjës ndaj Argjentinës, 19-vjeçari spanjoll shkoi drejt Messit dhe e përqafoi në një skenë që u bë virale në rrjetet sociale dhe u interpretua si simbol i kalimit të stafetës nga një legjendë te ylli i ri i futbollit botëror.

Dy futbollistët lidhen edhe nga historia e Barcelonës. Messi u shndërrua në ikonën më të madhe të klubit katalanas, ndërsa Yamal konsiderohet trashëgimtari i brezit të ri, pasi është rritur në akademinë “La Masia” dhe tashmë është një nga liderët e Barcelonës dhe kombëtares spanjolle.

Me triumfin në Botërorin 2026, Yamal shton në karrierën e tij edhe Kupën e Botës, pas suksesit në Euro 2024, ndërsa në moshën vetëm 19-vjeçare konsiderohet një nga futbollistët më të mirë të brezit të tij.

Në anën tjetër, Lionel Messi mund të ketë luajtur ndeshjen e fundit me Argjentinën në një Kupë Bote. Kampioni i botës në vitin 2022 dhe fitues i dy trofeve të Copa América (2021 dhe 2024) u largua nga fusha mes emocioneve, ndërsa e ardhmja e tij me kombëtaren mbetet ende e paqartë.

Për shumë tifozë, përqafimi mes Messit dhe Yamalit ishte fotografia që përmblodhi fundin e një epoke dhe nisjen e një tjetre në futbollin botëror.

Ndërkohë që kanë nisur menjëherë të bëhen virale videot që replikojnë foton e Messit me Yamal të vogël në govatë, por kësaj here ndërrohen vendet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu