Cristiano Ronaldo ka publikuar një deklaratë të gjatë për të shpjeguar përplasjen me trajnerin e Portugalisë dhe arsyen pse u largua nga grumbullimi i kombëtares.

Sipas Ronaldos, pas Botërorit 2026 ai kishte menduar seriozisht largimin përfundimtar nga kombëtarja dhe madje kishte përgatitur një letër lamtumire për portugezët. Presidenti i Federatës Portugeze i kërkoi të rishikonte vendimin dhe Ronaldo pranoi të vazhdonte.

Ai tregon se kishte mbështetur edhe zgjedhjen e trajnerit aktual, por marrëdhënia mes tyre u prish gjatë grumbullimit të fundit. Ronaldo thotë se trajneri i kishte paraqitur paraprakisht një plan të qartë për minutat dhe menaxhimin e tij fizik. Para ndeshjes në Norvegji, trajneri i kishte thënë se do të luante rreth 30 minuta. Ronaldo u nxeh që nga pushimi, por në fund nuk u aktivizua.

“Trajneri nuk e mbajti fjalën”, shkruan Ronaldo.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Cristiano Ronaldo (@cristiano)

Portugezi pranon se pas ndeshjes gaboi duke mos përshëndetur tifozët dhe u kërkon falje atyre që kishin udhëtuar për ta parë.

Sipas tij, 48 orë më vonë pati një takim me trajnerin dhe drejtorin sportiv të Al Nassr, Simão Coutinho. Ronaldo pretendon se trajneri pranoi privatisht se kishte gabuar që e kishte nxehur dhe më pas nuk e kishte aktivizuar dhe se kishte premtuar ta sqaronte publikisht situatën.

Ronaldo publikon madje edhe shënimet që, sipas tij, ishin dakordësuar për deklaratën e trajnerit. Mes tyre ishte formulimi: “Gabova që bëra një lojtar të përmasave të Pelés apo Maradonës të ngrohej dhe më pas nuk e futa në lojë. Po të ndodhte sot, nuk do ta bëja”.

Por Ronaldo thotë se konferenca për shtyp ishte krejt ndryshe nga ajo që ishte rënë dakord. Ai e konsideron këtë herën e dytë që trajneri nuk mbajti fjalën dhe thotë se kjo ishte arsyeja pse vendosi të largohej nga grumbullimi.

Megjithatë, kapiteni merr përgjegjësinë për veprimin e tij.

“Duhet t’u kërkoj falje edhe shokëve të kombëtares që u largova nga grumbullimi. Nuk duhej ta kisha bërë. Përgjegjësia është tërësisht e imja”, shkruan ai.

Ronaldo shkon edhe më tej, duke thënë se Federata duhet ta ndëshkojë dhe se statusi i tij si kapiten është një rrethanë rënduese, jo lehtësuese.

Në fund, ai hedh poshtë idenë se gjithçka ka marrë fund me Portugalinë. Ronaldo thotë se do të ketë kohë për një ose më shumë ndeshje lamtumire, por se synimi i tij aktual është ende të luajë.

“Nëse jam fizikisht mirë, luaj për klubin tim dhe shënoj gola, pasi të kryej çdo pezullim që do të më jepet, do të jem i disponueshëm, siç kam qenë gjithmonë, për të garuar dhe për të fituar me kombëtaren tonë.”

Deklaratën e mbyll duke e quajtur këtë “të vërtetën më të pastër”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu