
Justina Shiroka-Pula, ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike me një karrierë të gjatë në jetën publike të Kosovës, është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës.
Emri i saj hyri në garën për kreun e shtetit vetëm pak orë përpara përfundimit të afatit kushtetues, pasi u propozua nga kryeministri Albin Kurti dhe u konsiderua i pranueshëm edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Shiroka-Pula është një prej figurave të njohura të botës akademike kosovare dhe gruaja e parë që ka marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, institucion i themeluar në vitin 1975.
Ajo e përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik.
Studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Zagreb në vitin 1984, ndërsa doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës me temën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978 iu bashkua Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si ligjëruese, duke ndërtuar më pas një karrierë të gjatë akademike.
Shiroka-Pula ka kryer gjithashtu studime pasdoktorale jashtë Kosovës, në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Përveç jetës akademike, ajo ka pasur edhe një angazhim të drejtpërdrejtë politik.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ishte deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Pas luftës, Shiroka-Pula është angazhuar edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në çështjet që lidhen me fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e biznesit dhe sipërmarrjen.
Me një profil që ndërthur ekonominë, akademinë, politikën dhe shoqërinë civile, Justina Shiroka-Pula vjen në krye të shtetit pas një dite të gjatë negociatash mes forcave politike për të shmangur një tjetër krizë institucionale dhe zgjedhje të reja.






