
Justina Shiroka-Pula është zgjedhur Presidente e re e Kosovës, pasi mori 81 vota pro në Kuvend.
Zgjedhja e saj erdhi pas një dite të gjatë negociatash mes forcave politike dhe vetëm pak minuta pasi kishte kaluar mesnata, duke hapur njëkohësisht debat për respektimin e afatit kushtetues.
Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar 6 tetorin si ditën e fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa procedura e votimit në Kuvend vijoi edhe pas orës 00:00 të 7 tetorit, deri rreth orës 00:03.
Pavarësisht kalimit të afatit, deputetët vazhduan procedurën dhe Shiroka-Pula siguroi 81 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të shtetit.
View this post on Instagram
Përballë saj ishte Eliza Hoxha, e propozuar nga PDK-ja si kundërkandidate.
Zgjedhja e presidentes u bë e mundur pas marrëveshjes së arritur në orët e fundit mes forcave politike. Përpara votimit për kreun e shtetit, Kuvendi miratoi me 88 vota pro edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, një kërkesë që PDK-ja kishte vendosur si kusht për vazhdimin e negociatave për presidentin.
Justina Shiroka-Pula ishte propozuar si kandidate kompromisi në orët e fundit nga kryeministri Albin Kurti dhe u pranua nga PDK-ja.
Ajo është ekonomiste dhe akademike, ndërsa aktualisht drejton Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Shiroka-Pula ka qenë më herët ministre e Energjisë dhe Minierave dhe deputete e Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Megjithatë, fakti që votimi përfundimtar u zhvillua pas kalimit të datës 6 tetor pritet të hapë debat juridik për respektimin e afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe vlefshmërinë e procedurës së zhvilluar pas mesnatës.






