
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Për ndryshimet votuan 88 deputetë, duke përmbyllur kështu procedurën parlamentare për një nga çështjet që ka dominuar debatin politik dhe protestat e ditëve të fundit në Prishtinë.
Një ditë më parë, projektligji ishte miratuar në lexim të parë me 91 vota pro. Nisma e propozuar nga PDK-ja parashikonte ndër të tjera kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burg, mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Miratimi përfundimtar i ndryshimeve zhbllokon tashmë edhe pjesën tjetër të marrëveshjes politike të arritur në minutat e fundit mes partive.
Kuvendi pritet të kalojë më pas në pikën e dytë të seancës, zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.
Sipas marrëveshjes së arritur më herët, në garë pritet të jenë Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha.
Votimi për Specialen ishte kushti kryesor që PDK-ja kishte vendosur përpara se të hynte në marrëveshje për presidentin, ndërsa jashtë Kuvendit protestuesit kishin kërkuar prej dy ditësh miratimin përfundimtar të ligjit.






