
Një aksident tragjik i ka marrë jetën Manuel Korreshit, 15-vjeçar dhe futbollist i ekipit të të rinjve të AC Este 1920 në Itali.
Sipas “La Repubblica”, adoleshenti po kthehej në shtëpi me biçikletë gjatë natës mes së shtunës 19 dhe së dielës 20 shtator, kur u godit nga pas nga një automjet, ndërsa lëvizte përgjatë rrugës provinciale 247.
Manueli u transportua në gjendje të rëndë në spitalin San Bortolo të Vicenzës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë mbrëmjen e 20 shtatorit, pas disa orësh në terapi intensive pediatrike.
Prokuroria ka hapur një hetim për vrasje rrugore, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive për aksidentin. Autoritetet pritet të vlerësojnë edhe sekuestrimin e automjetit të përfshirë, ndërsa një nga elementët që mbetet për t’u sqaruar është nëse biçikleta e 15-vjeçarit kishte dritën e pasme të ndezur në momentin e përplasjes.
Manuel Korreshi luante me ekipin Under 16 të AC Este 1920 dhe konsiderohej një talent i ri i futbollit. Miqtë, shokët e shkollës dhe ata të skuadrës e kanë kujtuar në rrjetet sociale me mesazhe prekëse: “Fluturo lart, bomber”, “Prehu në paqe, Manu” dhe “U largove shumë shpejt”.






