
Gjashtë vatra zjarri mbeten aktive në vend, ndërsa një tjetër është nën kontroll dhe dy janë në monitorim. Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 14:00 të kësaj të marte janë regjistruar gjithsej nëntë vatra.
Në mbështetje të operacioneve në terren janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Në malin e Dajtit vijon puna për izolimin e zjarrit me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Priskë është nën kontroll dhe monitorim, ndërsa ajo në Vakumone është izoluar.
Në Gurë-Lurë të Dibrës, korridoret e hapura kanë mundësuar izolimin e flakëve. Për shuarjen e plotë janë angazhuar forcat operacionale, 30 efektivë të ushtrisë dhe dy avionë Air Tractor. Edhe këtu nuk raportohen banesa të rrezikuara.
Në Qafë Helmës, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, por mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Operacionet vijojnë gjithashtu në Bruç të Matit dhe Lufaj të Mirditës, ku vatra paraqitet me intensitet të ulët.
Forca të shumta janë përqendruar edhe në Tërbun të Pukës. Në operacion marrin pjesë zjarrfikës, punonjës pyjorë, forca vendore, vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara dhe operacionet vijojnë me përqendrimin kryesor në Dajt, Lurë, Mat dhe Tërbun.






