
Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke e cilësuar sezonin turistik të këtij viti si një “verë të zezë” për Shqipërinë.
Në një deklaratë për mediat, selia blu rendit mes ngjarjeve më të rënda vrasjet, zjarret në disa zona të vendit dhe shpërthimet me tritol, duke pretenduar se këto ngjarje kanë krijuar një klimë pasigurie.
PD iu referua edhe vrasjes së 20-vjeçarit në Ksamil, duke e cilësuar atë si një tjetër dëshmi të dështimit të autoriteteve në parandalimin e krimit. Në deklaratën e opozitës viktima përmendet si shtetas francez, por Policia e Shtetit sqaroi më pas se, pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se i riu ishte shtetas portugez, me inicialet L.V., i lindur më 27 shtator 2005.
Sipas Partisë Demokratike, Policia e Shtetit është shndërruar në një strukturë që reagon pas ngjarjeve kriminale, në vend që të përqendrohet te parandalimi dhe garantimi i rendit publik.
Opozita akuzon gjithashtu qeverinë për lidhje të strukturave shtetërore me krimin e organizuar, akuza që në deklaratë nuk shoqërohen me prova.
PD premton se, në rast se merr drejtimin e qeverisë, brenda 100 ditëve të para do të miratojë një “Paketë Anti-Krim”, me synim, sipas saj, shkëputjen e lidhjeve mes strukturave shtetërore dhe grupeve kriminale dhe rikthimin e sigurisë publike.
Partia Demokratike e cilësoi vrasjen e turistit 20-vjeçar në Ksamil si një goditje të rëndë për imazhin e turizmit shqiptar.






