Konferenca e Kryetarëve ka përfunduar pa një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për kalendarin e punimeve të Kuvendit, ndërsa në qendër të përplasjes është vendosur Reforma Administrativo-Territoriale.

Në projekt-kalendarin e propozuar është parashikuar që reforma të shqyrtohet dhe të hidhet për votim në seancën plenare të 8 tetorit. Opozita ka kundërshtuar përfshirjen e saj në kalendar, me argumentin se procesi i konsultimeve nuk ka përfunduar ende.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar që reforma të mos futet në rendin e punimeve të Kuvendit në këtë fazë.

Sipas Bardhit, një reformë e kësaj rëndësie nuk mund të kalojë pa përfunduar më parë konsultimet dhe pa u arritur konsensus me opozitën.

Përplasja për datën e votimit ka bërë që palët të mos arrijnë dakordësi për projekt-kalendarin, ndërsa diskutimet për Reformën Territoriale pritet të vazhdojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu