
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar nismën e mazhorancës për ngritjen e një komisioni të ri parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, duke akuzuar socialistët se kanë miratuar në mënyrë të njëanshme hartën e re të bashkive dhe tani kërkojnë bashkëpunimin e opozitës.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Tabaku deklaroi se Partia Socialiste humbi mundësinë për të arritur konsensus me opozitën, pasi vendosi të miratonte ndryshimet territoriale pa një marrëveshje politike.
“Fshini 15 bashki me një të rënë të lapsit. Humbët shansin për konsensus, sepse ju nuk doni reformë, por një hartë elektorale”, u shpreh deputetja demokrate.
Kritikat e saj erdhën pas kërkesës së PS-së për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar me mandat nëntëmujor, i cili do të merret me fazën e dytë të reformës.
Sipas Tabakut, objektivat e komisionit të propozuar janë të njëjta me ato që ishin parashikuar në vendimin e Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar.
Ajo kujtoi se opozita kishte kërkuar në korrik zgjatjen me tre muaj të mandatit të komisionit të mëparshëm, për të përfunduar punën mbi kompetencat, financimin dhe shërbimet e pushtetit vendor, por propozimi ishte refuzuar nga socialistët.
“Ju nuk pranuat. Kërkuam që komisionit t’i jepeshin edhe tre muaj kohë, pikërisht për të përmbushur këto detyra, por ju e refuzuat. Tani propozoni të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtat objektiva”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e PD-së theksoi se reforma duhej të kishte përfunduar me një produkt konsensual, përpara se Kuvendi të kalonte te ndryshimet ligjore për forcimin e financave vendore, përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive.
Ajo ngriti pikëpyetje edhe për arsyet pse opozita duhet të përfshihet në një proces të ri, pasi, sipas saj, mazhoranca nuk pranoi bashkëpunimin në fazën vendimtare të ndryshimit të hartës.
“Për çfarë arsyeje duhet të marrë pjesë opozita në këtë proces? Ky është një proces që kërkon besim”, tha Tabaku.
Në mbledhje, deputetja demokrate kundërshtoi gjithashtu vendimin e Komisionit të Etikës për përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, duke e cilësuar masën të papranueshme dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.





