Një sulm i rëndë i militantëve të lidhur me Al-Kaedën ka shkaktuar më shumë se 100 të vrarë mes forcave të armatosura të Malit, duke shënuar një nga goditjet më të rënda ndaj ushtrisë së vendit afrikan gjatë muajve të fundit.

Sipas Reuters, sulmi ndodhi më 10 shtator në kampin ushtarak të Diouras, në pjesën qendrore të Malit. Një burim i sigurisë tha se numri i ushtarëve të vrarë arrin në rreth 130, ndërsa një burim diplomatik e vendosi bilancin në rreth 120. Më shumë se 100 ushtarë raportohet se janë marrë peng.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Jama’at Nusrat al-Islam wal Muslimin (JNIM), organizatë e lidhur me Al-Kaedën. Vetë grupi pretendon se ka vrarë 150 ushtarë, por kjo shifër nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ushtria e Malit ka pranuar se ka pësuar viktima, pa dhënë një bilanc të saktë. Ajo njoftoi se pas sulmit zhvilloi një operacion kundërpërgjigjeje që zgjati më shumë se një javë dhe se u shkaktoi humbje të konsiderueshme militantëve.

Situata është tensionuar edhe në zona të tjera. JNIM pretendoi se goditi sistemet e mbrojtjes ajrore në aeroportin e Sevares, ku ndodhen avionë ushtarakë dhe dronë. Një banor i zonës i tha Reuters se aeroporti ishte goditur për gjashtë net radhazi dhe se në spital kishte parë rreth 40 ushtarë të plagosur të Malit dhe luftëtarë rusë.

Forcat ruse të Africa Corps mbështesin ushtrinë e Malit në luftimet kundër grupeve të armatosura. Ndërkohë, banorë të Konnas raportojnë se militantët e JNIM kanë rrethuar kampin ushtarak në këtë zonë.

Lajmi për përmasat e sulmit është publikuar këtë të hënë, 21 shtator, nga Reuters, ndërsa autoritetet e Malit nuk kanë dhënë ende një bilanc të plotë zyrtar.

ç

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu