
Përhapja e virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos po merr përmasa alarmante, ndërsa organizata humanitare Mjekët pa Kufij (MSF) paralajmëron se situata po përkeqësohet me ritme të shpejta.
Dy javë pas shpalljes së shpërthimit epidemik, autoritetet shëndetësore kanë raportuar më shumë se 1 mijë raste të dyshuara dhe të paktën 246 viktima. Ndërkohë, në Ugandën fqinje janë konfirmuar nëntë raste dhe një vdekje.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, mbërriti këtë të shtunë në provincën Ituri, epiqendrën e shpërthimit, për të mbikëqyrur nga afër përpjekjet për frenimin e virusit.
“Situata është thellësisht alarmante. Asnjëherë më parë nuk janë regjistruar kaq shumë raste në një kohë kaq të shkurtër pas shpalljes së një shpërthimi të Ebolës”, deklaroi zëvendësdrejtori i MSF-së, Alan Gonzales.
Sipas organizatës, numri real i të infektuarve mund të jetë shumë më i lartë, pasi qindra mostra ende nuk janë analizuar dhe çdo ditë raportohen raste të reja të dyshuara.
Përpjekjet për izolimin e virusit po vështirësohen nga konfliktet e vazhdueshme në lindje të Kongos, si dhe nga kufizimet në transport dhe lëvizje. OBSH ka paralajmëruar vazhdimisht se situata e sigurisë po pengon reagimin e shpejtë ndaj epidemisë.
Gjatë vizitës së tij në Bunia, kryeqyteti i provincës Ituri, Tedros u bëri thirrje komuniteteve lokale të bashkëpunojnë me autoritetet shëndetësore dhe paralajmëroi për rrezikun që paraqesin disa rite tradicionale funerale.
“Prekja e trupave të personave që kanë humbur jetën nga Ebola mund të përhapë më tej virusin. Duhet të bëjmë gjithçka për të mos hyrë në një cikël të pafund humbjesh”, tha ai.
Shpërthimi aktual është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ekziston një vaksinë e provuar. Sipas ekspertëve, ky variant shkakton vdekjen e rreth një të tretës së personave të infektuar.
Virusi Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të një personi të infektuar, si gjaku, pështyma, djersa, urina apo të vjellat, si dhe përmes objekteve të kontaminuara.
Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare po përpiqen të shmangin përhapjen e mëtejshme të virusit në vendet fqinje, ndërsa OBSH paralajmëron se situata mbetet kritike dhe kërkon reagim urgjent.






