Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë historinë në Kupën e Botës. Sulmuesi i Francës është bërë futbollisti i parë që fiton dy herë “Këpucën e Artë” të Botërorit, pasi e mbylli edicionin e vitit 2026 si golashënuesi më i mirë i turneut.

27-vjeçari realizoi 10 gola në tetë ndeshje, duke lënë pas Lionel Messin, i cili e përfundoi kompeticionin me tetë gola.

Pas tetë golave në Katar 2022, Mbappé fitoi sërish trofeun individual, duke u bërë lojtari i parë në histori që siguron “Këpucën e Artë” në dy Botërorë radhazi.

Ylli francez është gjithashtu golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Kupës së Botës, me 22 gola, një më shumë se Messi. Rekordin e vendosi pas dy golave të shënuar në ndeshjen për vendin e tretë ndaj Anglisë, edhe pse Franca u mposht 6-4.

Në listën e golashënuesve më të mirë të Botërorit 2026, pas Mbappé dhe Messit renditen Jude Bellingham dhe Erling Haaland me nga shtatë gola, ndërsa Ousmane Dembélé dhe Harry Kane e mbyllën turneun me nga gjashtë realizime.

Ndërkohë, FIFA ndau edhe çmimin për portierin më të mirë të turneut. “Dorashka e Artë” shkoi për Unai Simón, i cili ishte një nga protagonistët e suksesit të Spanjës. Portieri 29-vjeçar pësoi vetëm një gol në tetë ndeshje dhe mbajti portën të paprekur në shtatë takime, duke qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës kampione të botës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu