
Një stuhi e fuqishme ka goditur Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme të mëdha në transportin ajror.
Në Nju Jork është regjistruar edhe viktima e parë. Një 56-vjeçar humbi jetën në Brooklyn pasi u godit nga një pemë që u rrëzua pranë një fushe basketbolli.
Autoritetet kanë shpallur nivel të lartë alarmi për shkak të erërave të forta dhe reshjeve intensive. Përmbytje janë raportuar edhe në New Jersey, ndërsa dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike.
Moti i keq ka goditur rëndë edhe trafikun ajror. Më shumë se 250 fluturime janë anuluar në aeroportin ndërkombëtar Logan të Bostonit, ndërsa qindra fluturime të tjera janë pezulluar në tre aeroportet kryesore që i shërbejnë Nju Jorkut.
Parashikimet flasin për reshje që mund të arrijnë deri në 15 centimetra në zonën nga Atlantic City në New Jersey deri në Boston, të shoqëruara me erëra shumë të forta.
Qendra e stuhisë ndodhet aktualisht në det, pranë brigjeve të Delaware, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes dhe të ndjekin paralajmërimet e emergjencave.






