
Protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shtrirë këtë të diel në disa qytete të botës, ndërsa një tubim ka nisur edhe në qendër të Prishtinës.
Tifo-grupe të ndryshme janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin e Kosovës, duke brohoritur “UÇK” dhe duke mbajtur pankarta në mbështetje të ish-krerëve të saj.
“UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”, shkruhej në një prej pankartave të protestuesve.
Në zonën përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është shtuar prania e forcave të policisë. Kjo është protesta e parë e organizuar nga tifo-grupet pas vendimit të Speciales.
Protesta janë zhvilluar të dielën edhe në Shkup, Melburn, Oslo dhe Gjenevë.
Në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, qytetarët kanë marshuar me pankarta ku shkruhej “Drejtësi, jo gjykim të lirisë”, “Liria ka emër” dhe “Jo në emrin tim”, ndërsa gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje në mbështetje të UÇK-së.
Protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale kanë vijuar në vende të ndryshme që prej 16 shtatorit, ndërsa në Prishtinë janë zhvilluar tubime çdo ditë.






