
Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur këtë të hënë nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pas zhvillimeve që lidhen me hetimin ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Mbledhja nisi në orën 08:30 dhe zgjati rreth një orë. Takimi vjen pasi Hyseni u shkarkua nga drejtimi i SHISH-it dhe ndaj saj është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimit të SPAK.
Në tryezën e drejtuar nga Presidenti Begaj morën pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministra dhe drejtuesit kryesorë të institucioneve të sigurisë.
Të pranishëm ishin ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ministri i Brendshëm Ervin Demo, ministri i Financave Petrit Malaj dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi.
Në mbledhje morën pjesë gjithashtu kreu i Komisionit parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen, Bledar Çuçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Arben Kingji, drejtori i SHISH-it Elvis Lila dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.
Mbledhja zhvillohet në një moment kur çështja Hyseni ka ngritur debat edhe për funksionimin dhe mbrojtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se hetimi ndaj ish-drejtoreshës i takon drejtësisë, ndërsa mbrojtja e institucioneve të sigurisë është përgjegjësi e shtetit.






