
Një fermere britanike është vendosur në qendër të historisë së incidentit pranë bazës ajrore RAF Fairford, pasi thotë se një telefonatë e saj në numrin e emergjencës mund të ketë ndihmuar në prishjen e një plani të dyshuar pranë bazës së përdorur nga ushtria amerikane.
Gruaja tregoi se po kthehej nga një festë në orët e para të së dielës, kur gjeti rrugën të bllokuar nga tre furgonë të bardhë. Më pas pa një grup të madh burrash me kapuçë dhe maska që u larguan me vrap.
Sipas dëshmisë së saj, ajo telefonoi numrin britanik të emergjencës 999 në orën 01:36.
“Besoj se ishte thjesht fat që mbërrita në fshat pothuajse në të njëjtën kohë me furgonët”, tregoi ajo.
Ngjarja mori përmasa të tjera kur policia arrestoi pesë burra. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim, të arrestuar në bazë të ligjit për eksplozivët dhe nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist.
Tre furgonët e bardhë të gjetur pranë RAF Fairford po kontrollohen nga specialistët e çaktivizimit të eksplozivëve. Në pamjet nga ajri është parë edhe një robot i telekomanduar duke iu afruar automjeteve.
Historia bëhet edhe më e pazakontë nga mbishkrimi në furgonë. BBC Verify konstatoi se një prej tyre mbante logon “Fuel 2You” dhe një numër telefoni, por nuk gjeti prova se bëhej fjalë për një kompani reale që operonte në Britani. Një kompani me emër të ngjashëm, Fuel2U, deklaroi se automjetet nuk kishin asnjë lidhje me të.
Por mbetet një pikëpyetje e madhe: a ishte vërtet telefonata e fermeres ajo që zbuloi gjithçka?
Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë një version tjetër. Ai deklaroi se autoritetet amerikane i kishin personat e dyshuar “nën vëzhgim prej një kohe të gjatë” dhe se ata synonin të shkaktonin dëme të mëdha në bazë.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se fermerja kishte parë vetëm “një pjesë të panoramës”, pa dhënë hollësi të tjera për operacionin e sigurisë. Ai refuzoi gjithashtu të spekulonte nëse pesë të arrestuarit kishin lidhje me Iranin, duke theksuar se hetimi vazhdon.
Ka një mospërputhje mes dëshmisë së fermeres dhe deklaratës së Trump. Zyrtarë britanikë kanë thënë se operacioni nuk ishte nisur mbi bazën e informacionit të inteligjencës, ndërsa presidenti amerikan pretendon se të dyshuarit po monitoroheshin prej kohësh.
RAF Fairford ka rëndësi të veçantë strategjike. Baza në Gloucestershire përdoret nga ushtria amerikane dhe pret bombardues amerikanë me rreze të gjatë veprimi. Ajo është përdorur së fundmi edhe për operacione amerikane kundër Iranit. Niveli i alarmit në bazë raportohet se është ngritur në “Delta”, niveli më i lartë.
Ndërkohë, të paktën 85 banesa në fshatin pranë bazës janë evakuuar dhe një perimetër sigurie prej 400 metrash vazhdon të mbahet nga policia.



