
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja për t’i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nënshkruhet të dielën.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet për trafikun ndërkombëtar detar.
“Pasi marrëveshja të nënshkruhet, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë”, shkroi Trump, duke shtuar se SHBA do të merret më vonë me materialin bërthamor të pasuruar të Iranit.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë treguar kujdes lidhur me afatet. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se ende nuk ka një datë të konfirmuar për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit.
Edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues në negociata, u shpreh optimist se marrëveshja mund të finalizohet brenda 24 orëve, duke njoftuar se po përgatiten procedurat për nënshkrimin elektronik të saj.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi kishte deklaruar se palët janë pranë një marrëveshjeje. Sipas tij, dokumenti parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, lehtësimin e bllokadës ndaj porteve iraniane dhe nisjen e bisedimeve të mëvonshme për programin bërthamor të Teheranit.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se përfitimet ekonomike për Iranin do të varen nga përmbushja e detyrimeve që do të përcaktohen në marrëveshje.
Konflikti aktual nisi më 28 shkurt, pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objektivave në Iran. Teherani reagoi me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, ndërsa tensionet çuan edhe në kufizimin e lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur në prill, gjatë javës së fundit SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sërish sulme të kufizuara, duke mbajtur të larta tensionet në Lindjen e Mesme.






