Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj protestave që kanë hyrë në ditën e 15-të, duke deklaruar se kërcënimet, bullizmi dhe presioni ndaj mendimeve ndryshe përbëjnë një “frymë fashiste” që duhet ndalur.

Gjatë episodit të radhës të podkastit “Flasim”, Rama u ndal te klima që po shoqëron protestat dhe akuzoi një pjesë të protestuesve se po përpiqen t’u imponojnë të tjerëve bindjet e tyre përmes presionit dhe intimidimit.

Sipas kryeministrit, fashizmi nuk lidhet domosdoshmërisht me uniforma apo armë, por me mentalitetin që përjashton mendimin ndryshe dhe pretendon të imponojë një të vërtetë të vetme.

“Fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: ‘Shqipëria është e shqiptarëve’, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë ‘delja e zezë’ e Europës për vite e vite të tëra”, deklaroi Rama.

Ai solli si shembull edhe organizatën ekstremiste greke “Agimi i Artë”, duke e krahasuar me qasje që sipas tij po shfaqen sot në protestat në Shqipëri.

Kreu i qeverisë tha se është e papranueshme që individë apo grupe politike të ushtrojnë presion ndaj qytetarëve që kanë qëndrime të ndryshme.

“Është e patolerueshme që një grup njerëzish, një forcë njerëzish, një parti apo një konglomerat partish t’i imponohet pjesës tjetër duke i thënë: ‘O do mendosh si unë, o do të të bullizoj, do të të kërcënoj’. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur”, u shpreh Rama.

Deklaratat vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë dhe projekteve të diskutueshme turistike kanë hyrë në javën e tretë, ndërsa përplasjet politike mes mazhorancës dhe organizatorëve të protestave vijojnë të intensifikohen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu