Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës kanë ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, e cila refuzoi të shqyrtonte në themel padinë për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror.

Sipas njoftimit të palës paditëse, në momentin e emërimit të tij, në vitin 2008, Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk plotësonte kriteret ligjore përjashtimore që do t’i lejonin marrjen e kësaj detyre.

Gjykata e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi të paditësve, pa shqyrtuar pretendimet mbi ligjshmërinë e emërimit. Veliaj dhe Bashkia argumentojnë se padia lidhet me pavlefshmërinë absolute, e cila, sipas ligjit, mund të konstatohet në çdo kohë, madje edhe kryesisht nga gjykata.

Në ankim ngrihet pyetja nëse një prokuror mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit, kur pretendohet se statusi i tij është fituar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit.

Pala paditëse e lidh çështjen edhe me procesin penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh dhe po gjykohet për akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas njoftimit, nëse një zyrtar i zgjedhur u nënshtrohet ligjit dhe gjykatës, të njëjtit kontroll duhet t’i nënshtrohet edhe prokurori për ligjshmërinë e kompetencave që ushtron.

Tashmë do të jetë Gjykata Administrative e Apelit që do të vendosë nëse çështja duhet të shqyrtohet në themel. Kërkesa përmblidhet në parimin: asnjë imunitet për kryetarin e Bashkisë, por asnjë përjashtim nga kontrolli gjyqësor as për prokurorin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu